William Shakespeare
"Sonete"
Kushtuar Bardhës

Sonetet e Shekspirit
(Parathënie)
Për lexuesin shqiptar është e njohur mirë gjenia dramatike e Shekspirit nga përkthimet e mjaft prej dramave të tij, sidomos nëpërmjet përkthimeve mjeshtërore të at Fan S. Nolit. Nëpër të 36 dramat e tij janë të shpërndara qindra këngë dhe pasazhe lirike (si kënga e Ofelisë së marrosur tek "Hamleti", profetizimi i magjistricave tek "Makbeti", mjaft pasazhe tek "Antoni dhe Kleopatra" etj.), por me botimin e plotë të "Soneteve" lexuesi shqiptar do të ketë rastin të njihet me veprën e tij më të mirë poetike dhe të konsideruar njëzëri si një nga perlat më të çmuara të thesarit të poezisë botërore.
Veprat e para të Shekspirit në zhanrin e poezisë u shkruan dhe u botuan pasi ai kishte arritur të njihej si dramaturg. Në vitin l593 u botua "Venusi dhe Adonisi", në vitin l594 - "Përdhunimi i Lukrecias", në vitin l958/9 - 20 këngë lirike (midis tyre disa sonete) në "Pelegrini i apasionuar", në vitin l60l - "Feniksi dhe breshka". Në këtë periudhë, me ndërprerje, Shekspiri filloi të shkruante sonetet që i vazhdoi deri në vitin l600. Ato qarkulluan për një kohë të gjatë në rrethin e miqve të tij dhe u botuan vetëm në vitin l609. Ato u shkruan në kohën kur Shekspiri pati arritur pjekurinë e tij të plotë dhe paraprinë drama të tilla si "Hamleti", "Makbeti", "Otello", "Antoni dhe Kleopatra" etj.
Shekspiri i shkroi sonetet në një kohë kur ato ishin bërë një zhanër i modës. Të lëvruara për herë të parë në Itali, në fillim në shek. e XIII-të nga poetët e oborrit në Siçili (nën ndikimin e poezisë së trubadurëve të Provansës), duke arritur kulmin me sonetet e Petrarkës (soneti italian), ato u bënë zhanër shumë i popullarizuar në të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe Anglinë. Soneti u bë zhanri mbisundues në poezinë evropiane për pesë shekuj me radhë, pothuajse deri në ditët tona. Por soneti elizabetian, i karakterizuar nga rregulla më rigoroze, ndryshe nga soneti italian, u ndoq më pak nga poetët. Sipas poetëve, kritikëve dhe studiusve, sonetet e Shekspirit shquhen në të gjithë letërsinë angleze dhe evropiane për përsosurinë e formës dhe të përmbajtjes. Kjo është arsyeja që edhe soneti elizabetian quhet më tepër shekspirian.
Nëse poezitë e para nuk ngrihen mbi nivelin e zakonshëm të poezisë së kohës, sonetet shekspiriane (tri strofa katërvargëshe me rima të pavarura alternative dhe vargje me rimë të puthur në fund - abab, cdcd, efef dhe gg me dhjetë rrokje) dallohen nga e gjithë poezia e kohës për një paraqitje të ndierë e plot pasion të eksperiencës së jetuar, aq sa Wordsworth (poet anglez - l770-l850) pat thënë se ato janë "çelësi, me të cilin Shekspiri na ka hapur zemrën".
Duke qënë një shprehje personale e eksperiencës së jetuar, duke aluduar për situata reale të jetës, interesi për sonetet shkoi gjithnjë duke u rritur jo vetëm për shkak të mjeshtrisë së lartë artistike, por edhe për faktin se shpresohej se do të mund të ofronin të dhëna më konkrete për jetën e tij private, e cila përveç ca fakteve të thata, të nxjerra nga regjistrat e kohës, është e mbuluar me një tis të padepërtueshëm, aq sa herë pas here janë bërë orvajtje për të vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën e dramaturgut dhe poetit të madh.
Ndryshe nga sonetet e poetëve pararendës,ato të Shekspirit kanë aludime për situata reale dhe shquhen për dramacitetin e tyre. Fijet kryesore që përshkojnë sonetet janë kryesisht ai i mikut-mecenat të adhuruar si edhe i gruas së zeshkët, më të cilën ai është dashuruar.
Dy dashuri i kam dhe gaz dhe vaj,
Dy shpirtëra po më tundojnë akoma:
Një burrë i pashëm - engjëll i pafaj,
Një grua e zeshkët që o zot shpëtona.
Tradhtia e gruas së zeshkët të dashuaruar prej poetit dhe rënia e mikut të adhuruar në kthetrat e saj përbën edhe kulmin dramatik të soneteve l27 deri në l54.
Por krahas tyre duhet të përmendim edhe fije të tjera drejtuese, si djaloshin që poeti përpiqet ta bindë të martohet, poetin rival etj.
Sikundër të gjitha veprat apo vetë jeta e Shekspirit, edhe sonetet janë bërë objekt i diskutimeve dhe mendimeve të kundërta, sidomos përsa i përket identifikimit të personit "Mr. W.H.", të cilit i janë kushtuar sonetet, të burrit të pashëm, të gruas së zeshkët, të renditjes së soneteve etj. Konfuzionin më të madh e shkakton sidomos renditja e soneteve, që dyshohet shumë të jetë renditja e vetë Shekspirit, aq më tepër që ato u dhanë për botim jo nga vetë autori, por nga persona që i kishin në posedim.
Rezultat i këtyre kërkimeve e hulumtimeve ka qenë një mori librash dhe
studimesh, të cilat e kanë dëndësuar edhe më shumë errësirën që i mbulon në këtë drejtim sonetet.
Sidoqoftë, saktësisht mund të konstatohet se në sonetet l deri në l7 (të ashtuquajturat sonete matrimoniale), autori rreket të bindë një djalosh të martohet, duke i provuar se koha "nuk e ndal vrapin kurrë", ajo shkatërron në mënyrë të pamëshirëshme çdo gjë që gjen përpara, prandaj bukurinë, rininë e forcën që natyra ia ka dhuruar vetëm përkohësisht ai mund t'i ringjallë vetëm duke lënë një trashëgimtar:
Nga kosë e Kohës nuk të mbron asgjë
Veç një pinjoll që luftën bën me të. (son. XII)
Ndërsa sonetet l27 deri në l54 i kushtohen dashurisë së poetit për gruan e zeshkët.
Poeti duke portretizuar të dashurën, ironizon me poetët të cilët thurin himne dhe lëvdata të imagjinuara.
S'i ndrisin sytë të dashurës si dielli,
M'i kuq se buzë e saj është çdo koral,
Ka flok të zi spërdredhur porsi teli
Dhe gjinjët-grurë s'janë borë e bardhë.(Son. CXXX)
E dashura e poetit nuk është perëndeshë, ajo baret në këmbë dhe vjen era njeri, ai ka dëshirë ta dëgjojë edhe pse muzika mund të jetë më e embël se zëri i saj, dhe i pëlqen jo se nuk ka më të bukur se ajo, por nuk gjen një tjetër më pak të stisur.
Asaj i kushtohet një nga sonetët më të arrirë (Soneti CXXVIII):
Sa herë ti, që je muzika ime,
Me gishtat tu mbi drurin e bekuar
Muzikë luan dhe plot drithërime
I shkrin aq ëmbël tingujt e kulluar,
Ia kam zili kërcimit të çdo tasti,
Që hidhet lart të puthi dorën pak,
Të shkretat buzë, që u ikën rasti,
Nga trimëri e tyre skuqen flakë...
Në të njëjtën kohë e dashura jo vetëm është tirane, por është edhe besëthyer:
Ta quaj timen zemrën tënde kot,
Kur hyn atje kushdo si në një han! (Son. CXXXVII)
ose:
E di dhe ti që ta kam shkelur besën,
Por edhe ti dy herë më ke tradhtuar:
Për mua shkele në fillim martesën,
Pastaj një tjetër duke dashuruar. (son. CLII)
Dhembjen më të madhe e dashura ia shkakton, kur fut në kthetrat e saj edhe mikun e adhuruar:
Mallkuar qofsh ti zemër tradhtare
Që tok me mikun fort na ke lënduar,
S'mjafton që zemrën time e vrave fare,
Por edhe atë e paske skllavëruar? (CXXXIII)
Natyrisht, grupi i soneteve të fundit, që trajtojnë dashurinë e poetit për gruan e zeshkët, përbën kulminacionin e një zhvillimi dramatik të heshtur, që përshkon të gjithë sonetët.
Përsa u përket soneteve të ndërmjeme është mjaft e dyshimtë që ato të përbëjnë një sekuencë rrëfimi. Me përjashtim të disa soneteve, të lidhura në grupe tematike, si ato të ndarjes, të ankimeve të poetit kundër muzës dhe për poetin rival, të tjerat janë më tepër sonete çasti dhe të dedikuara personave të ndryshëm.
Në tërësi sonetet përshkohen nga një ton maturie dhe pesimizmi të hollë.
Megjithëse i kushtohen kryesisht dashurisë, në to shprehet botëkupimi i poetit, qëndrimi i tij ndaj natyrës dhe shoqërisë, ndaj fenomeneve të ndryshme të jetës shoqërore, ndaj artit.
Duke e mbështetur plotësisht botëkuptimin e tij në ligjet e natyrës, poeti shpesh thekson se si në natyrë ashtu edhe në shoqëri asgjë nuk është e përjetshme, koha është e pamëshirshme dhe e shkatërron bukurinë dhe forcën e njerëzve, e cila rilind tek pasardhësit për t'u shkatërruar përsëri dhe kështu pa fund.
Kur vdekjes s'ashpër s'i shpëtokan dot
As bronzi, toka, deti pa kufi,
Lufton me vdekjen bukuria kot,
Kur vetëm sa një lule ka fuqi. (Son. LXV)
Shpesh poeti lodhet nga jeta dhe kërkon të largohet prej saj, sepse nuk e duron dot padrejtësinë, poshtërimin dhe hipokrizinë sociale:
I lodhur vdekjen lus, s'duroj më dot
Kur shoh në lypës dinjitetin kthyer,
Dhe laron me të mira mbushur plot,
Dhe pabesisht mirëbesimin thyer.
Dhe ndern' e lartë keqas poshtëruar,
Dhe të përkryerën me qëllim përbuzur,
Dhe vashën virgjër egërsisht çnderuar,
Dhe forcën nga i dobëti përulur .
Dhe marrëzi të çiltrën emërtuar,
Dhe nga gënjeshtra të vërtetën tallur,
Dhe artin nga pushteti të pranguar,
Dhe marrëzinë urtësi të shpallur. (Son LXVI)
Një grup të veçantë sonetesh përbëjnë ato që kanë të bëjnë me poetin rival:
Sa ndruhem kur për ty nis për të shkruar!
Një më i mirë shkruan për hirin tënd
Dhe, me lëvdata duke të lartuar,
Ma lidh ai gjuhën sa të sjell ndër mend.
Por vlera jote ngjan si oqeani,
Që mban tok me anijen barkn' e vogël,
Çan dallgët barka ime si luani,
Paçka se mund të duket sa një gogël. (Son. LXXX)
Në sonetin CII ai ironizon poetët fjalëshumë dhe lavdithurës:
U rrit kjo dashuri dhe pse s'tregon,
Nuk dashuroj më pak se s'flas aq shumë,
Në plaçkë tregu kthehet ndjenja jonë,
Për të kur gjuha fjalët derdh si lumë. (Son. CII)
Shekspiri, i matur dhe i vetëkontrolluar në shprehjen e ndjenjave, është i pakursyer në imazhet nga jeta e përditshme e vendit të vet. Ai e demokratizoi edhe më tej gjuhën e sonetit, duke futur fjalë të ashtuquajtura jopoetike nga të gjitha lëmet e jetës, si të fshatit, gjyqësore, të biznesit, të fajdesë etj. Le të marrim si shembull sonetin CXIII:
Porsi amvisa që, kur do të kapë
Ndonjë nga zogat gardhin tek kapton,
Lëshon përdhe fëminë e shkon me vrap
Të ndjekë zogën që po fluturon...
Toni i soneteve, duke lënë mënjanë karakterin konvencional të disa motiveve, që u nënshtrohen kërkesave të kohës, është i matur dhe i përshkuar nga pesimizmi, gjë që na bën të mendojmë se poeti nuk qe krejt ashtu siç e përshkruajnë dramaturgun profesionist në bazë të dokumentave të gjetura, njeri me fat e një jetë plot mbarësi.
Nga fati i përbuzur dhe kjo botë
Mjerimin tim i vetëm veç vajtoj,
Sa qiellin shurdh mërzis me britma kot.
Tek shoh vetveten, fatin rri mallkoj. (Son. XXIX)
Rrëfimi për dashurinë është shpesh herë më pak i rëndësishëm se sa mendimet e shprehura prej tij për kohën, për ecjen e saj të pandërprerë, për bukurinë dhe shkatërrimin, për jetën dhe vdekjen, për artin, për famën dhe fatin. Jo rrëfimi i dashurisë, por pikërisht këto mendime, që i përshkojnë sonetet nga fillimi deri në fund, përbëjnë atë unitet që ne e rrokim pasi t'i kemi lexuar të tëra.
Sikundër thotë poeti anglez W.H. Auden (l907-l973), të gjitha sonetet nuk janë të shkëlqyeshme, por edhe vetëm më të përsosurat prej tyre do t'i kishin siguruar Shekspirit atë pavdekësi që përbën një nga temat e tyre të vazhdueshme.
Çezar Kurti
New York, 1993